Kuqezinjtë menaxhojnë tre pikët e rradhës pasi mundin 0:2 Rabotniçkin në Shkup. Emini hapi rezultatin, ndërsa Ibraimi me penalti vulosi fitoren e 19-të sezonale. Në mungesë të Hasanit, shiriti u kapitenit “shëtiti” në krahun e katër futbollistëve, pasi e nisi Cuculi, vazhduan Alimi dhe Ibraimi, ndërsa e mbylli Emini.

Shkëndija vazhdon ecurinë e fitoreve pasi del me tre pikë nga transferta me Rabotniçkin në Shkup. Një gol i Eminit në çastet e fundit të pjesës së parë dhe realizimi i Ibraimit nga penalita në start të të dytës ishin vendimtar për triumfin e 19-të sezonal. Pa Hasanin e lënduar, Emini zuri vendin e tij në mbështetje të sulmit dhe numri 20-të ishte vendimtar me një gol dhe penalti të fituar. Kuqezinjtë zhvilluan një pjesë të parë shumë të qetë kundër Rabotniçkit, me një volum loje më të ulët në krahasim me ndeshjet paraprake, diçka e arsyeshme në raport me orarin e ngjeshur javët e kaluara dhe takimin gjysmëfinal me Renovën që pason mesjavën e ardhshme. Në një iniciativë të lehtë në terren nga ana e kuqezinjëve, dy ekipet kishin disa gjysmëraste që nuk ishin rrezik për portierët. Goditja e parë në kornizën e njërës portë erdhi vetëm në minutën e 44-t, mirëpo goditja e Eminit kontrollohet lehtë nga Bozhinovski. Ky do të ishte paralajmërim për atë që do të ndodhte pak më vonë kur Alimi tregohet insistues në zonë para se të asistojë për Eminin, me këtë të fundit që godet ashpër në cepin e portës për epërsi 0:1. Shkëndija nisi furishëm pjesën e dytë kur edhe mbylli llogaritë e kësaj ndeshje. Emini depërtoi në zonë dhe u ndal me faul në situatë ballore me portierin Bozhinovski. Penalti për Shkëndijën dhe karton i kuq për Trajçevskin. Nga pika e bardhë nuk gabon Ibraimi që çon shifrat në 0:2 me golin e 16-të sezonal. Me epërsi të sigurtë dhe një lojtar më shumë në fushë trajneri Osmani kishte luksin të fillojë të mendojë për sfidën e Kupës të mërkurën me Renovën dhe brenda pak minutave tërhoqi nga loja Cuculin dhe Alimin, që u lanë vendin Teqja-s dhe Bojkut. Pikërisht ky i fundit kishte disa kanosje në fund të takimit, mirëpo rezultati mbeti ai i minutës së 53-të, Rabotniçki 0, Shkëndija 2.

Shihni ⇒ FOTOGALERINË  e ndeshjes

RABOTNIÇKI-SHKËNDIJA 0:2 (0:1)
Stadiumi “Filipi i Dytë” në Shkup
Shikues: 100
Arbitër: Dimitar Meçkarovski
Arbitra anësorë: Dejan Nedelkovski dhe Goce Petrevski
Arbitra shtesë: Igor Stojçevski dhe Josip Barton
Delegat: Jovçe Popovski
Golashënues: Emini 45’+1 dhe Ibraimi 53′ (Shkëndija)
Kartona të verdhë: Markoski (Rabotniçki), ndërsa Alimi dhe Cuculi (Shkëndija)
Karton i kuq: Trajçevski 51′ (Rabotniçki)
RABOTNIÇKI: Bozhinovski, Sadiki, Herera, Junior (Çinedu 69′), Stjepanoviç, Markoski (Duranski 59′), Kirovski (Petkovski 46′), Trajçevski, Rasho, Krasniqi, Angelov.
Trajner: Goran Stankovski
SHKËNDIJA: Zahov, Bejtullai, Alimi (Bojku 72′), Cuculi (Teqja 69′), Ibraimi (Shefiti 79′), Totre, Radeski, Musliu, Junior, Emini, Adili.
Trajner: Qatip Osmani

Share Now

Related Post