Shkëndijë e përkryer në Gjorçe Petrov, ku Rabotniçki ‘zgjodhi’ të luajë si vendas. Djemtë ‘kuqezi’ sollën ‘romantikë klasike’ duke shënuar katër gola dhe duke humbur raste të shumta para portës kundërshtare. Rabotniçki dy herë pa veten në avantazh kur shfrytëzoi gabimet e vetme në mbrojtjen e Shkëndijës, mirëpo gjithçka është e lehtë në skuadër ke kalibër si Ferhan Hasani. Shiu i rrëmbyeshëm në fillim solli në minimum kushtet për lojë, por në teren nuk mungoi lufta e madhe nga të dyja palët. Rabotniçki provoi me lojë agresive dhe fillimisht u gjet më së miri në atë rëmujë të krijuar nga shiu. Ishte minuta e gjashtë kur vendasit fitojnë një top në mesfushë dhe pasojnë drejt Bazhe Ilijoskit, i cili realizon me qetësi përballë Jovanovskit. Shkëndija nuk u hutua nga goli i pranuar dhe u hodh në kërkim të barazimit që do të vinte në një mënyrë të mrekullueshme. Goditje dënimi për Ferhan Hasanin, që sjell kryevepër për simetri në rezultat. 1:1 dhe gjithçka u kthye në fillim. Tani Shkëndija dominonte dhe kërkonte golin e epërsisë. Hasani humbi dy mundësi të mira që erdhën si rezultat i aksioneve të bukura, ndërsa në sekondat e fundit të pjesës së parë Demiri u gjet në situatë të volitshme mirëpo sikur u frikësua nga rasti dhe lëshoi mundësi për të shënuar. Në pjesën e dytë trajneri Duro përforcoi ndryshimet në vendosje dhe ekipi ishte më insistues. Kërkohej me ngulm goli i epërsisë, mirëpo rrejta do të tundej në anën tjetër. Reagim i dobët pas një harkimi nga gjuajtja e lirë, ndërsa Dushko Trajçevski me goditje të fortë mposht Jovanoskin për epërsi 2:1 të Rabotniçkit. Detyra u vështirësua, por Hasani nuk kishte thënë fjalën e fundit. Në minutën e 61 Cuculi depërton bukur në të djathtë dhe harkon para portës ku Buba Hasani godet me të parën dhe topi përplaset në shtyllë dhe kalon vijën fatale për barazim 2:2. Tani u krijuan kushtet për të ndjekur golin e epërsisë dhe trajneri Duro në minutën e 63-të bën zëvendësim duke inkuadruar Vruçinën në vend të Zhuniorit. Pikërisht kroati do të konvetohej në njeri deçiziv kur pas vetëm disa sekondave pasi hyri në lojë asiston drejt Hasanit, ndërsa ‘mbreti’ edhe një herë tregon klasin dhe me një prekje përcjell topin prapa shpinës së Bozhinovskit. 3:2 për Shkëndijën dhe hat-trik i Hasanit, i pari i një futbollisti të Shkëndijës në një ndeshje zyrtare pas një kohe vërtet të gjatë. Tani Rabotniçki përveç disavantazhit ‘sundohej’ nga nervoza, ndërsa Shkëndija me qetësi të madhe administronte lojën dhe kërkonte golin e nokautit. Ai do të vinte në minutën e 71 kur Armend Alimi lufton ashpër për një top në mesfushë, duke asistuar drejt Vruçinës, ndërsa kroati është ‘doktor’ për situata të këtilla dhe me finalizim të bukur shënon për 2:4. Rabotniçki në gjunjë, duke paguar me ‘kamatë’ për katër disfatat e sezonit të kaluar. Deri në fund nuk pati ndryshim në rezultat, Shkëndija me meritë mori tre pikët, ndërsa kalon në pozitën e parë në renditje pasi Vardari është ndalur me barazim. Ferhan Hasani me tre golat e sotëm shkon në kuotën e 8-të golave të shënuar dhe merr kryesimin në listën e golashënuesve.

RABOTNICKI-SHKËNDIJA 2:4 (1:1) Stadiumi në Gjorçe Petrov të Shkupit

Shikues: 600

Arbitër: Dimitar Meçkarovski

Arbitra anësorë: Dejan Nedelkovski dhe Goce Petreski

Delegat: Toni Donev

Golashënues: Ilijoski 6’ dhe Trajçevski 49’ (Rabotniçki), ndërsa Hasani 18’, 61’ dhe 63’, si dhe Vruçina 71’ (Shkëndija)

Kartona të verdhë: Ristevski dhe Mitrov, (Rabotniçki), ndërsa Demiri dhe Vruçina (Shkëndija)

Karton i kuq:/

RABOTNICKI: Bozhinovski, Vujçiq, Ilijoski, Ristevski, Markoski, Petroviq, Mitrov (Ristovski 81’), Alltiparmakovski, Trajçevski, Cikarski, Ilievski.

Trajner: Igor Angelovski

SHKËNDIJA: Jovnovski, Bejtullai, Alimi, Cuculi, Hasani, Demiri, Zhunior (Vruçina 63’), Totre (Berisha 79’), Ibraimi (Radeski 83’), Pollozhani, Todorovski.

Trajner: Shpëtim Duro

Share Now

Related Post

Leave us a reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.