Një gol i Besart Ibraimit në minutën e 18-të i jep Shkëndijës tre pikë të rëndësishme nga transferta me Rabotniçkin në Shkup. ‘Kuqezinjtë’ kishin edhe mundësi tjera për të shënuar, mirëpo gjithsesi edhe rezultati minimal u jep fitoren e 6-të të njëpasnjëshme në pranverë dhe fitoren e parë në histori në stadiumin ‘Filipi i Dytë’ kundër ‘romantikëve’.
Shkëndija ka vazhduar aty ku u ndal dy javë më parë. Skuadra merr fitore shumë të rëndësishme në teren të Rabotniçkit, aty ku asnjëherë nuk kishte arritur të dalë me tre pikë paraprakisht në gjithë historinë e dy ekipeve. Shkëndija nisi takimin e orientuar në sulm dhe Zhunior kishte dy mundësitë e para, mirëpo një herë goditi mbi portë, ndërsa pak më vonë nuk ishte i qartë në mes goditjes dhe asistit drejt Radeskit. Mirëpo braziliani do të ishte sërisht në aksion në minutën e 18-të kur kalon bukur Cikarskin dhe asiston saktë për Ibraimin, goditja e parë e të cilit ndalet në vijën e portës nga Shishkovski, mirëpo në vazhdim sulmuesi ‘kuqezi’ nuk e pati të vështirë të shënojë në portën e zbrazët për epërsi të Shkëndijës. Epërsia i dha edhe më shumë qetësi lojës së Shkëndijës që administronte topin me sukses dhe kohë pas kohe krijonte ndonjë rast për të shënuar. Në pjesën e dytë kanosen vendasit në minutën e 47-të kur Zahov pret sigurtë në portë. Rabotniçki sikur nuk kishte forcë për të ndryshuar diçka, pasi ‘kuqezinjtë’ kishin kontroll të plotë në teren, mirëpo pa arritur që të kanosen më seriozisht për të gjetur golin e dytë. Zhunior në minutën e 75-të godet mbi portë pas asistit të Radeskit, ndërsa pak më vonë Alimi provon bukur me trinën e jashtme të gjejë këndin e epërm të portës vendase, mirëpo për pak nuk ishte preciz. Në kohën shtesë pas insistimit të Todorovskit, shfaqet mundësi për Zhuniorin, mirëpo Shishkovski kontrollon tentimin e brazilianit. Gjithsesi, në fund tre pikët shkojnë në konton e Shkëndijës që merr fitoren e parë kundër Rabotniçkit në stadiumin ‘Filipi i Dytë’ në Shkup.
RABOTNIÇKI-SHKËNDIJA 0:1 (0:1)
Stadiumi ‘Filipi i Dytë’ në Shkup
Shikues: 2 000
Arbitër: Dajan Jakimovski
Arbitra anësorë: Nikolla Karakolev dhe Igor Shirilov
Arbitra shtesë: Stojançe Stojanov dhe Josip Barton
Delegat: Kole Mitev
Golashënues: Ibraimi 18’ (Shkëndija)
Kartona të verdhë: Najdenov, Altiparmakovski, Ilievski (Rabotniçki)
Karton i kuq: /
RABOTNIÇKI: Shishkovski, Najdenov (Ristovski 67’), Siljanovski, B. Markoski, K. Markoski (Herera 46’), Petroviq, Elmas (Jovanoski 83’), Altiparmakovski, Trajçevski, Cikarski, Ilievski.
Trajner: Tomisllav Franc
SHKËNDIJA: Zahov, Bejtullai, Alimi, Cuculi, Ibraimi, Totre (Pollozhani 73’), Radeski (Juffo 90’), Zhunior, Merajiq (Demiri 61’), Todorovski, Vujçiq.
Trajner: Bruno Akrapoviq
Leave us a reply