Kuqezinjtë koleksionojnë fitoren e 23-të sezonale pasi fitojnë Pobedën me shifrat 4:1 në duelin e xhiros së 33-të në LPFM. Trajneri Qatip Osmani nxori në fushë komplet formacion të ri, në portë debutoi Artan Iljazi, për herë të parë nga minuta e parë startoi Besart Rexhepi, ndërsa në pjesën e dytë debutoi edhe Almir Rexhepi. Kuqezinjtë nisën furishëm dhe pa u kompletuar 10-të minutat e para të ndeshjes Zejnullai dhe Shefiti sollën epërsi 2:0. Efremov zbuti rezultatin me gol të bukur, por Shkëndija u kundërpërgjigj me Shefitin për epërsi 3:1 në pjesën e parë. Në vazhdim nuk munguan rastet, por mundëm të shohim vetëm një gol me Jakup Berishën që gjeti golin e parë me Shkëndijën në një ndeshje zyrtare, duke vendosur rezultatin final 4:1. Më këtë fitore kuqezinjtë çojnë në 16-të pikë dicerencën para skuadrës së vendit të dytë në renditje.
PJESA E PARË
Të parët u kanosën lojtarët e Pobedës në minutën e 6-të me Efremovit nga gjuajtja e lirë, por kontrollon sigurtë debutuesit në portë, Artan Iljazi. Në anën tjetër vjen përgjigja e kuqezinjëve kur luhej minuta e 7-të, Besart Rexhepi asiston para zonës, Berisha mashtron vendasit duke kërcyer topin ndërsa Arbin Zejnullai me një të djathtë precize sjell epërsi për kuqezinjtë.
Vetëm dy minuta më vonë depërton në krahun e majtë Beqiri duke gjetur në zonë Shefit Shefitin që godet fortë dhe dyfishon rezultatin. Më vonë Beqiri solli një kanosje që u kontrollua nga portieri Kotevski, ndërsa në anën tjetër Pobeda zbut rezultatin në 1:2 kur Efremov realizon në minutën e 16-të. Kuqezinjtë shpejt morën lojën në dorë dhe sillnin aksione me kombinime të bukura, ndërsa për ndryshim u prit deri në minutën e 38-të kur Merxhani asiston për Shefitin i cili nga brendësia e zonës shënon golin e dytë personal dhe të tretin për kuqezinjtë në këtë duel.
PJESA E DYTË
Fillimi i pjesës së dytë solli kanosje të kuqezinjëve, ndërsa vendasit në kundërsulm fituan penalti pasi goditja e Makotas u ndal në dorën e Todorvskit, pasi paraprakisht portieri Iljazi priti një goditje ballore të vendasve. Nga pika e bardhë vendosi godasë Makota, por gjuajtja e tij ishte aq e keqe sa që kaloi mbi murin kufizues të stadiumit. Gjithë kjo ndodhi në minutën e 49-të. Pak sekonda më vonë Bojku tenton bukur nga gjuajtja e lirë, pa mundur të gjejë kuadrantin. Në minutën e 55-të me të hyrë në lojë Marjan Radeski asiston saktë para portës ku Jakup Berisha me vole shënon gol të bukur për 4:1. Shkëndija lëshoi dy-tre mundësi për golin e pestë derisa në minutën 76-të trajneri Osmani i dha mundësinë të debutojë edhe të riut Almir Rexhepi që zuri vendin e mbrojtësit të majtë Merxhani. Deri në fund kuqezinjtë humbën edhe disa mundësi shënimi, por rezultati mbeti 4:1 për tre pikë të reja dhe fitore të 23-të sezonale.
POBEDA-SHKËNDIJA 1:4 (1:3)
Stadiumi ‘Nikolla Mantov’ në Koçani
Shikues: 300
Arbitër: Marjan Stojanovski
Golashënues: Efremov 16′ (Pobeda), ndërsa Zejnullai 7′, Shefiti 9′ e 38′ dhe Berisha 55′ (Shkëndija)
Kartona të verdhë: Panoski dhe Risteski (Pobeda), ndërsa Todorovski dhe Zejnullai (Shkëndija)
POBEDA: Kotevski, Timovski, Efremov, Naumoski, Karçeski (c), Spirkoski, Panoski, Makota, Mandiq (Spirkoski 80′), Trajkoski (Veceski 59′), Risteski.
Trajner: Blazho Panov
SHKËNDIJA: Iljazi, Shefiti, Sadriu, Zejnullai, Bojku (c) (Luma 73′), Berisha, Merxhani (Al. Rexhepi 76′), Beqiri, Bes. Rexhepi (Radeski 54′), Çeshmexhiev, Todorovski.
Trajner: Qatip Osmani