Shkëndija fiton 2:0 Pobedën në transfertë dhe zyrarisht shpallet kampione e vjeshtës. Kuqezinjtë menaxhuan shkëlqyeshëm takimin e xhiros së 16-të të luajtur në Turnovë dhe me dy gola në 15-të minutat e fundit mundi rivalin e papërshtatshëm nga Prilepi. 45 minutat e para sollën lojë të hapur nga të dyja palët, mirëpo rrjetat mbetën pa prekur. Në vazhdim Shkëndija shtoi rritmin e lojës por rezistencën e vendasve e theu në fund. Egzon Bejtullai me kokë në minutën e 75-të solli golin e epërsisë, ndërsa fitoren 2:0 e vulosi Izair Emini dy minuta para fundit. Kjo ishte fitorja e 11-të e Shkëndijës në këtë kampanjë dhe dy xhiro para fundit të gjysmësezonit vjeshtor siguron dimërim në pozitën e parë në renditje.
PJESA E PARË
Shkëndija e nisi ndeshjen me një sulm premtues të Shefitit që në sekondat e para, ndërsa Pobeda u përgjigj me goditjen skaj porte të Markoskit në minutën e dytë. Gjashtë minuta më vonë ishim me fat kur goditja e Naumoskit u ndal në shtyllën e Zahovit. Në anën tjetër Emini depërton bukur, mirëpo Fazli i penguar prej pas godet mbi portë. Në minutën e 15-të pas një aksioni të Muratit, Emini lëviz bukur para zonës mirëpo e majta e tij për pak nuk gjeti kuadrantin. Loja bëhej interesante në të dyja anët dhe pas gjysmë ore lojë u desh super intervenimi i Zahovit për t’i mohuar golin Velkoskit që godet nga afërsia. Në anën tjetër Nafiu del i vetmuar para Tofiloskit por ky i fundit arrin të shpëtojë. Karakteristikë e pjesës së parë ishte se luftohej në mesfushë, ndërsa shanset vinin paralel në të dyja palët në hark të shkurtër kohor. Kështu një minutë para fundit të pjesës së parë goditjes së Makotas me super pritje i përgjigjet Zahov, ndërsa në anën tjetër bllokohet tentimi i Alimi nga një pozitë shumë ideale.
PJESA E DYTË
Fraksioni i dytë nisi me tempo të njejtë por munguan shanset deri në minutën e 60-të kur goditja e Musliut me kokë devijohet dhe shkon pak skaj portës. Në anën tjetër një e majtë e fortë e Mandiqit nuk gjen kuadrantin. Kuqezinjtë zhvilluan aksion të bukur në minutën e 68-të kur Nafiu harkon para portës, mirëpo tentimi i Fazli me kokë shkoi për pak skaj shtyllës. Pak më vonë të njejtin epilog pati edhe e djathta e Alimit prej jashta zonës. Shkëndija rriti presionin dhe në minutën e 75-të pas një harkimi nga këndi fillimisht Dragarski largon topin nga porta pas goditjes së Fazli, ndërsa topin e dëbuar Bejtullai me kokë e drejton në rrjetë për epërsi 1:0.
Në minutën e 87-të shkuam pranë golit të dytë kur Nafiu i vetmuar para portës goditi mbi traversë, ndërsa për pak nuk u ndëshkuam kur Tanushev godet kornizën e portës. Shpejtë krijuam tjetër aksion të gjatë që mbyllet me sukses nga Emini që realizon për 2:0 dhe sigurim të tre pikëve të reja me të cilat zyrtarish dalim kampionë të vjeshtës.
POBEDA – SHKËNDIJA 0:2 (0:0)
Stadiumi ‘Kukush’ në Turnovë
Shikues: 100
Arbitër: Dejan Jakimovski
Golashënues: Bejtullai 75′ dhe Emini 88′ (Shkëndija)
Kartona të verdhë: Markoski, Mandiq, Kalanoski dhe Mustafov (Pobeda), ndërsa Nafiu (Shkëndija)
POBEDA: Tofiloski, Timovski, Velkoski, Mandiq (Geshoski 79′), Dragarski, Makota, Mustafov, Isaevski, Markoski, Naumoski (Kalanoski 57′), Tanushev.
Trajner: Toni Meglenski
SHKËNDIJA: Zahov, Mici, Bejtullai, Musliu, Alimi, Totre (Çeshmexhiev 83′), Shefiti (Bojku 61′), Murati, Emini (Adili 90′), Nafiu, Fazli.
Trajner: Qatip Osmani