Kuqezinjtë rëmbejnë fitore rekorde 6:0 përballë Pelisterit në Manastir. Gjashtë futbollistë të ndryshëm realizojnë në goleadën e rradhës, ndërsa shkon në 8-të numri i ndeshjeve të njëpasnjëshme pa pranuar gol.
Shkëndija deklason 6:0 Pelisterin në kuadër të xhiros së 27-të në LPFM, duke regjistruar fitoren më të thellë në historinë e klubit në një takim elitës së futbollit vendor. Takimi nisi me një mundësi të vendasve kur pa kaluar 60-të sekonda Manevski tenton portën, por pa mundur të gjejë kuadrantin. Kjo mundësi u duk se paralajmëroi lojë ofenzive të vendasve, mirëpo shumë shpejt Shkëndija bëri pjesën e parë të duket si trafik njëkahësh. Nga dy herë Ibraimi e Junior, si dhe Alimi e Bejtullai u kanosën drejt portës vendase, mirëpo ndryshim nuk pati deri në minutën e 29-të. Kuqezinjtë zhvilluan kundërslum të shpejtë, Alimi harkon saktë para portës ku Bojku shënon bukur me kokë për epërsi 0:1 me golin e parë në fanellën kuqezi. Junior dhe Bojku kërkuan golin e dytë, por pa mundur të shënojnë. Në minutën e 38-të aksion model i Shkëndijës me disa pasime të sakta, ndërsa realizon bukur Fazllagiç për 0:2. Kuqezinjtë nuk u mjaftuan me kaq dhe deri në fund të pjesës së parë sollën edhe golin e tretë me autor Egzon Bejtullain që realizon me goditje të fortë në cepin e lartë të portës, ndërsa u regjistrua moment i rrallë kur publiku vendas përshëndeti me duartrokitje mjeshtëritë e futbollistëve tanë. Me epërsi të lartë pas 45 minutave të para kuqezinjtë në të dytën çmontuan në tërësi Pelisterin. Junior në minutën e 57-të tregon klas në pranim të topit në zonë para se të realizojë për 0:4. Vendasit u panë të gjunjëzuar, ndërsa Shkëndija vazhdoi të bëjë punën me profesionalizëm. Armend Alimi ishte ndër më të mirët në terren dhe super goli në minutën e 62-të ishte shpërblim për performansën e treguar. Tanimë ishte 5:0 dhe kuqezinjtë shkuan një gol pranë rekordit për fitoren më të lartë në një ndeshje të Ligës së Parë. Në të njejtën kohë duhej kujdes në mbrojtje, por Zahov u përkujdes me pritje të bukur pas goditjes së Manevskit në minutën e 63-të për të vazhduar serinë prej 8-të ndeshje të njëpasnjëshme pa pranuar gol. Goli për 0:6 erdhi në minutën e 64-t kur Radeski rëmben topin nga kundërshtari dhe me lehtësi shënon në rrjetën e zbrazur. Deri në fund vazhdoi monologu i kuqezinjëve që u kanosën me Todorovskin dhe Shefitin, mirëpo fishkëllima e fundit e arbitrit mbylli ndeshjen me shifrat 0:6 për Shkëndijën. Performansë e shkëlqyeshme e kuqezinjëve që vlerësohet në fund nga publiku manastiras që përcjell me duartrokitje futbollistët drejt dhomave të zhveshjes.
PELISTERI-SHKËNDIJA 0:6 (0:3)
Stadiumi i qytetit në Manastir
Shikues: 2 000
Arbitër: Marjan Markoski
Arbitra anësorë: Simon Grdanoski dhe Laze Çakareski
Delegat: Sashko Krstev
Golashënues: Bojku 29′, Fazllagiç 38′, Bejtullai 43′, Junior 57′, Alimi 62′ dhe Radeski 64′ (Shkëndija)
Karton i verdhë: Markovski (Pelisteri)
Karton i kuq: /
PELISTERI: Petrovski, Todorovski, Dragarski, Naumoski (Nedanoski 56′), Milenkovski, Konjarski, Ilievski, Markoski, Trifunovski (Lamçevski 46′), Manevski (Trajkovski 74′), Markovski.
Trajner: Marjan Sekullovski
SHKËNDIJA: Zahov, Bejtullai, Teqja, Adili, Alimi, Fazllagiç (Zejnullai 60′), Bojku, Ibraimi (Shefiti 60′), Radeski (Todorovski 64′), Murati, Junior.
Trajner: Qatip Osmani