Shkëndija ka pësuar disfatë 3:0 në derbin e xhiros së dytë me Vardarin në Shkup. Ekipi filloi me dominim dhe humbi disa raste të mira shënimi, ndërsa goli i pranuar sikur preu këmbët futbollistëve që deri në fund dëshpruan. Ndeshja u përcoll gjithë kohën me sharje dhe ofencime në baza nacionale nga ana e tifozëve të Vardarit.
Derbi i xhiros së dytë në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë ka sjellë humbje 3:0 për Shkëndijën, që u duk dukshëm e lodhur përballë Vardarit që qartë ishte më i freskët duke ditur se u përshëndetën nga garat evropiane që në pengesën e parë. Skuadra kishte start të mirë kur administronte lojën dhe krijonte raste shënimi, mirëpo pa mundur të avansojë. Në anën tjetër goli i pranuar sikur preu këmbët futbollistëve që deri në fund ishin larg rendimentit të treguar këtë verë në Liga Evropa.
Vardari kishte kansojen e parë në minutën e 4 kur Brdarovski depërtoi dhe asistoi para zonës ku reagon mirë Zahov. Në anën tjetër Zhunior pason bukur për Ibraimin që godet me të majtën nga një pozitë tejet ideale, mirëpo topi i devijuar shkon skaj shtyllës. Në minutën e 10-të bombë e Ibraimit, mirëpo Gaçevski shpëton me intervenim të sigurtë. 8-të minuta më vonë provon Hasani nga gjuajtja e lirë, vetëm pak mbi portën vendase. Ibraimi vazhdonte të jetë rrezik permanent me goditjet nga distanca dhe në minutën e 25-të lëshon një tjetër tentim që shkon skaj portës. Në anën tjetër Lamçevski provon në minutën e 30-të me goditje të fortë, mirëpo Zahov në nivel largon topin në rivënie nga këndi. Kur dukej se Shkëndija ka kontroll të ngjarjeve në teren në minutën e 38-të Gligorov nuk mbulohet në zonë pas një aksioni të vendasve, ndërsa mesfushori i Vardarit me goditje precize shënon për epërsi të vendasve. Në fillim të pjesës së dytë Shkëndija kërkonte barazimin dhe në minutën e 50-të Gaçevski kontrollon pa problem tentimin e Alimit. Në anën tjetër Spirovski mundohet nga gjuajtja e lirë, por Zahov largon në rivënie nga këndi. Minut e 56-të sjell tentim të Ibraimit nga goditja e lirë nga distanca, mirëpo pret Gaçevski. Të njëjtën skenë e shofim edhe në minutën e 57-të kur sërish tenton Ibraimi, mirëpo pret portieri vendas. Në minutën e 58-të Vujçiq i pakujdesshëm humb topin në mesfushë, duke mundësuar kundërsulm të shpejtë për vendasit, të cilin me gol e përfundon Balotelli për rezultat 2:0. Shkëndija në vazhdim mundohej kryesisht me goditje nga distanca, mirëpo tentimet e Todorovskit dhe Hasanit shkuan mbi portë. Vardarit gjithçka i shkonte për dore dhe në minutën e 70-të Kojasheviq lëshon goditje të fortë nga distanca, e cila ndalet në rrjetë të Zahovit për rezultat 3:0. Deri në fund nuk pati ndryshim dhe tre pikët shkuan në konton e ekipit vendas.
Përballja gjithë kohën u shoqërua me korre ofenduese të tifozëve të Vardarit që edhe një herë nuk kursyen sharjet në baza nacionale ndaj shqiptarëve.
VARDARI-SHKËNDIJA 3:0 (1:0)
Stadiumi ‘Filipi i Dytë’ në Shkup
Shikues: 1 500
Arbitër: Aleksandar Stavrev
Arbitra anësorë: Marjan Kirovski dhe Dejan Kostadinov
Arbitra shtesë: Dejan Jakimovski dhe Darko Stojçevski
Delegat: Vasko Kantarxhiev
Golashënues: Gligorov 38’, Baloteli 58’, Kojasheviq 70’ (Vardari)
Kartona të verdhë: Grnçarov, Gligorov, Spirovski (Vardari), ndërsa Todorovski, Bejtullai, Cuculi, Taipi, Zhunior, Pollozhani (Shkëndija)
Karton i kuq: /
VARDARI: Gaçevski, Grnçarov, Lamçevski, Spirovski, Kojasheviq (Grozdanovski 81’), Gligorov, Novak, Felipe, Brdarovski, Xhonatan (Nikollov 73’), Petkovski (Asani 46’).
Trajner: Goce Sedloski
SHKËNDIJA: Zahov, Bejtullai, Cuculi, Ibraimi, Totre (Taipi 46’), Hasani, Zhunior, Juffo (Alimi 30’), Demiri, Todorovski, Vujçiq (Pollozhani 60’).
Trajner: Bruno Akrapoviq
Leave us a reply