Shkëndija mundet 1:0 në transfertën e xhiros së katërt të LPFMV-së nga Boreci në Veles.
• Mundemi 1:0 në transfertën me Borecin në Veles
• Shkëndija dominon, por nuk shënon as me penalti me B. Ibraimin
• Portieri Buran Mustafa heroi i vendasve, Prelçec shënon golin
Dominimi i plotë për 90-të minuta, numri i madh i shanseve dhe një penalti e humbur me Besart Ibraimin nuk kanë mjaftuar as për barazim, pasi që kuqezinjtë dalin pa pikë nga transferta me Borecin në Veles ku pësojmë me rezultat 1:0. Fakti që portieri vendas Buran Mustafa ishte lojtari më i mirë i ndeshjes flet më saktë për rrjedhën e ngjarjeve, por në fund numërohen golat dhe në kushte kur Shkëndija vazhdon të vuajë mungesën e realizimit, Borecit i mjaftoi një gol për fitore të vendasve.
Në mot të nxehtë dhe në terren sintetik që në mënyrë plotësuese vështirësonte kushtet për lojë, Shkëndija u pa e vendosur në pjesën kundërshtare pasi vendasit ishin orientuar tërësisht në mbrojtje. Dy kanosjet e para nga B. Ibraimi dhe Bejtullai u kontrolluan nga portieri vendas Mustafa, ndërsa në minutën e 17-të u duk se gjetëm epërsinë kur e djathta e B. Ibraimit u ndal vetëm nga korniza e portës. Shkëndija rriti presionin dhe kjo rezultoi me penalti të fituar në minutën e 18-të pas faulit ndaj Micit në zonë. Besart Ibraimi ekzekutoi gjuajtjen nga 11 metra, mirëpo me pritje bravuroze shfaqet portieri Mustafa. Kjo huqje sikur motivoi vendasit që pas 22 minutave morën guximin të dalin përpara dhe Prelçes sjell dy tentime, mirëpo fillimisht goditjen me kokë e kontrollon Zahov, ndërsa më vonë e majta nuk gjen kuadrantin. Moment i bukur ndodhi në minutën e 28-të kur harkimi i Micit gjen në zonë Radeskin, por mrekulli prodhon Mustafa që shpëton gol të sigurtë. Shkëndija vazhdoi të kontrollonte lojën edhe për disa minuta por pa ndonjë shans konkret, derisa në anën tjetër do të vinin dy kërcnime të vendasve. Fillimisht Bejtullai pastron rezikun pas aksionit të Hristovit, ndërsa pak më vonë i njejti futbollist për pak sa nuk befasoi Zahovin kur një goditje e lirë që më shumë ngjante si harkim u ndal në vendin ku bashkohen shtylla dhe traversa. Mundësinë e fundit në pjesën e parë e kishte B. Ibraimi që shërbehet me top nga Felipe, por e majta e numrit ‘7’ neutralizohet nga Mustafa.
Fraksioni i dytë nisi ashtu si u mbyll e para, pasi portieri Mustafa vazhdoi të jetë figura qendrore e takimit, duke kontrolluar goditjet e Alimit dhe Radeskit. Ishte e paimagjinueshme të shihet disa herë përsëritja e skenës së njejtë kur Mici sillte harkime, ndërsa goditjet e Radeskit gjithmonë kishin të njejtin përfundim, Mustafa dilte shpëtimtarë. Minuta e 65-të mund të llogaritet si mrekulli e gardianit vendas që nxjer nga porta një top nga koka e Radeskit që u duk se na solli epërsi. Trafiku njëkahësh vazhdoi edhe më tej kur Alimi dhe Nafiu nuk gjetën portën, ndërsa më vonë sërish shfaqet në skenë Mustafa që ndal të majtën e A. Ibraimit nga afërsia. Rregulli i pashkruar se pas rasteve të humbura vjen ndëshkimi do të godiste tanët në minutën 80-të kur gabon Sadriu, ndërsa Prelçec krijon pozitë dhe godet saktë për epërsi të vendasve. Tashmë gjërat vajtën shumë keq dhe ekipi duhej të kërkojë të shmang humbjen, por edhe ky mision rezultoi i pasuksesshëm me Sadriun që lëshoi rast për të barazuar në fund të ndeshjes.
BOREC-SHKËNDIJA 1:0 (0:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Shikues: 2 500
Arbitër: Aleksandar Stavrev
Golashënues: Prelçec 80′ (Borec)
BOREC: Mustafa, Stojkovski (c), Gjorgjiev, Kocev, Prelçec, Nikollovski (Peev 63′), Abaz (Llazareviq 82′), Eftimov, Hristov (Trajkov 88′), Petrov, Stoimenovski.
Trajner: Gorazd Mihailov
SHKËNDIJA: Zahov, Murati, Sadriu, Bejtullai, Mici, B. Ibraimi (c) (Nafiu 60′), Totre, Alimi (Junior 81′), Imeri (A. Ibraimi 66′), Felipe, Radeski.
Trajner: Qatip Osmani