Një gol i mbrojtësit Visar Musliu u ka mjaftuar kuqezinjtëve për të mundur 1:0 Akademia Pandevin në Strumicë në duelin e xhiros së 26-të në LPFM. Kuqezinjtë çojnë në katër serinë e fitoreve të njëpasnjëshme, ndërsa tashmë nuk ka rival në ligë pa e mundur në këtë kampanjë. Skuadra e trajnerit Qatip Osmani nisi ndeshjen furishëm dhe lëshoi disa mundësi të mira për të avansuar. Dominimi i plotë solli ndryshim në minutën e 30-të kur Visar Musliu me kokë realizon golin e epërsisë, që më vonë u tregua të jetë i vlefshëm tre pikë. Shkëndija falë dominimit në terren meritoi të kishte epërsi më bindëse, ndërsa në fund duhej të mbronte epërsinë minimale kur vendasit kërkonin barazimin. Triumfi në fushë të skuadrës së vendit të tretë bën Shkëndijën të çojë në 10 pikë diferencën me vendin e dytë.
PJESA E PARË
Me një vendosje ofenzive kuqezinjtë sollën kanosjen e parë vetëm disa sekonda pas fillimit të ndeshjes, mirëpo Çubrakoviç kontrollon të majtën e A. Ibraimit. Numri 10-të kishte një tentim atraktiv pas aksionit të Juniorit në minutën e 8-të kur goditi jashta kuadrantit me shpinë të kthyer ka porta edhe pse u duk se Imeri kishte pozitë më ideale për të rrezikuar. Në minutën e 15-të Musliu godet me kokë skaj portës pas harkimit të A. Ibraimit nga këndi. Kuqezinjtë vazhduan monologun e tyre përballë vendasve të tërhequr në mbrojtje dhe epërsia nuk kishte si të vononte. Fillimisht një e djathtë e Totres u devijua në këndore prej ku erdhi goli. Murati harkon para portës ku Musliu me kokë realizon për 1:0.
Në minutën e 32-të fati ishte me Shkëndijën kur pas një skeme të vendasve nga gjuajtja e lirë, shtylla ndal gëzimin e kundërshtarit. Pesë minuta para pauzës Imeri provon të majtën e tij, por megjithëse me vështirësi portieri vendas shmang pranimin e golit të dytë.
PJESA E DYTË
Fraksioni i dytë nisi me kanosje të vendasve kur Pandev godet ashpër nga gjuajta e lirë, por pret sigurtë Zahov. Në anën tjetër mundësi për Samir Fazli, me sulmuesin që nuk reagon si duhet. Akademia Pandev shkoi pranë barazimit në minutën e 57-të kur Velinov tenton portë pas një kundërsulmi, mirëpo fati ishte me Shkëndijën pasi topi ndalet në traversë. Situatë e ngjashme në anën tjetër kur Ibraimi harkon nga këndi, ndërsa tentimi u Musliut me kokë ndalet në traun e portës. Në minutën e 76-të Nafiu inspiron aksion të mirë kur depërton në të djathtë dhe kthen topin para portës ku Junior godet lartë mbi traversë. Dhjetë minutat e fundit sollën vështirësi për kuqezinjtë që panë veten të mbrohen edhe me shqetësimet e një lëndimi në krah të portierit Dino Zahov, por megjithatë ndryshim në rezultat nuk pati, kështu që tre pikët shkojnë në konton e Shkëndijës.
AKADEMIA PANDEV-SHKËNDIJA 0:1 (0:1) Stadiumi ‘Mladost’ në Strumicë Shikues: 2 000 Arbitër: Aleksandar Stavrev Golashënues: Musliu 30′ (Shkëndija) Kartona të verdhë: Temelkov, Kostov, dhe Tomovski (Akademia Pandev), ndërsa Mici, Bejtullai dhe Fazli (Shkëndija) AKADEMIA PANDEV: Çubrakoviç, Dimov, Iliev, Kostov, Ivanov, Krstovski, Pandev, Temelkov (Stojkov 80′), Tomovski (Mishov 59′), Manevski, Velinov (Milovanoviq 67′). Trajner: Jugosllav Trençovski SHKËNDIJA: Zahov, Mici, Bejtullai, Alimi (Bojku 60′), Musliu, Totre, A. Ibraimi, Murati, Junior, Fazli (Radeski 89′), Imeri (Nafiu 68′). Trajner: Qatip Osmani