Kuqezinjtë ndalen me barazim pa gola përballë Akademia Pandevit në takimin e xhiros së tetë të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë e luajtur në Turnovë. Në një takim pa shumë shanse shënimi dhe të luftuar nga dy skuadrat, ndarja e pikëve ishte e pashmangshme në kushte kur dy portat dukeshin të blinduara. Pas fraksionit të parë pa gola në vazhdim u prit ndryshim, trajneri Osmani përforcoi fazën sulmuese me inkuadrimin e Eminit dhe debutuesit Samir Fazli, mirëpo ndryshim në terren nuk kishte kështu që dy ekipet ndanë nga një pikë nga kjo përballje.

PJESA E PARË
Shkëndija nisi e vendosur në sulm dhe tentimin e parë solli Ibraimi në minutën e tetë nga gjuajtja e lirë, mirëpo topi nuk kishte forcën e duhur për të befasuar portierin vendas. Përgjigjen vendasit në të 17-ën kur Krstovski me kokë godet pak mbi portë. Në vazhdim ra tempoja e lojës dhe për minuta të tërë dy ekipet patën vetëm nga një tentim të pasuksesshëm. Emocionet rikthehen në minutën e 40-të kur Imeri shërben mirë me top Ibraimin, mirëpo sulmuesi mbyll këndin për të goditur dhe rasti shkon në pakthim.

PJESA E DYTË
Fraksioni i dytë nisi me një kanosje të vendasve nga distanca, mirëpo kontrollon sigurtë në portë Zahov. Përgjigjet Shkëndija me anë të Eminit në minutën e 51, mirëpo e djathta e tij shkon mbi traversë. Në minutën e 63-të kanoset Doriev me një të majtë të fortë që nuk gjen kuadrantin e Zahovit. Në minutën e 71 regjistrojmë debutimin e sulmuesit Samir Fazli që hyri në lojë në vend të Totres. Tentimin e fundit e kishin vendasit në kohën shtesë kur e djathta e Stoilovit nga gjuajtja e lirë devijohet në rivënie këndore.

AKEDEMIA PANDEV-SHKËNDIJA 0:0 (0:0)
Stadiumi ‘Kukush’ në Turnovë
Shikues
: 600
Arbitër: Aleksandar Stavrev
Kartona të verdhë: Shikov dhe Krstovski (A. Pandev), ndërsa Alimi, Çeshmexhiev, Fazli dhe Murati (Shkëndija)
AKADEMIA PANDEV: Çubrakoviq, Jovanov (Milovanoviç 90’+3), Atanskoski, Dimov, Iliev, Ivanov, Stoilov, Doriev (Pandev 86′), Krstovski (Stojkov 76′), Shikov, Manevski.
Trajner: Jugosllav Trençovski
SHKËNDIJA: Zahov, Mici, Bejtullai, Alimi, Ibraimi, Totre (Fazli 71′), Murati, Junior, Bojku, Imeri (Emini 46′), Çeshmexhiev.
Trajner: Qatip Osmani

Share Now

Related Post