Shkëndija ka nisur me tre pikë gjysmësezonin pranveror, duke mundur 2:0 Horizont Turnovën në ndeshjen e xhiros së 19-të të Ligës së Paë të futbollit të Maqedonisë. Marjan Radeski me nga një gol në të dy pjesët ishte vendimtar për triumfin e parë pranveror, duke i mundësuar debutim me fitore trajnerit Bruno Akrapoviç dhe përforcimeve të janarit, Nexhipi, Vujçiq, Merajiq dhe Zahov. Ndeshja nisi me iniciativë të Shkëndijës, mirëpo tereni i butë sikur detyronte futbollistët të jenë të kujdesshëm duke mos dashur të gabojnë. Ndryshimi në rezultat erdhi në minutën e 37-të kur Zhunior dhe Todorovski arrijnë të rëmbejnë një top nga kundërshtari, ky i fundit asiston në mënyrë të përkryer për Radeskin, i cili me shumë klas pranon topin dhe realizon për 1:0, duke krijuar delirium në tribuna. Pjesa e parë u mbyll me epërsi minimale të Shkëndijës, ndërsa në vazhdim futbollistët hynë me dëshirë për të vendosur sa më shpejtë fatin e takimit. Ishte minuta e 53-të kur Zhunior bukur asiston me parabolë për Radeskin, ndërsa ky i fundit edhe një herë shfaqet deçizive, duke goditur saktë për 2:0. Këtu përfundoi historia e këtij takimi, që deri në fund u administrua me sukses nga futbollistët ‘kuqezi’. Tre pikë dhe fillim i suksesshëm i gjysmëstinorit pranveror për Shkëndijën, që kënaqi spektatorët e shumtë në tribuna, në veçanti ‘Ballistët’ që për 90-të minuta dhuruan spektakël me animin dhe koreografitë e tyre.
SHKËNDIJA-HORIZONT TURNOVA 2:0 (1:0)
Stadiumi i qytetit në Kërçovë
Shikues: 3 500
Arbitër: Aleksandar Stavrev
Arbitra anësorë: Marjan Kirovski dhe Dejan Kostadinov
Delegat: Aleksandar Zllatarevski
Golashënues: Radeski 37’ dhe 53’(Shkëndija).
Kartona të verdhë: Vujçiq (Shkëndija), ndërsa Stoilov (Horizont T.)
Karton i kuq:/ SHKËNDIJA: Zahov, Bejtullai, Alimi, Cuculi, Ibraimi (Totre 87’), Nexhipi (Pollozhani 81’), Radeski, Zhunior (Demiri 76’), Merajiq, Todorovski, Vujçiq.
Trajner: Bruno Akrapoviq
HORIZONT T.: Igeski, Tashev, Vasilev, Iliev, Mavrov, Krstovski (Dimov 77’), Timov (Ivanov 87’), Ivanov, Pandev, Gjorgievski, Stoilov (Bozhinov 65’).
Trajner: Jane Nikollovski
Leave us a reply