MATCH REPORT U19 | Shkëndija U19 deklason Vardarin dhe i afrohet titullit

No image

Kuqezinjtë” fitojnë bindshëm 3:0 Vardarin në ndeshjen direkte për pozitën e parë në tabelën e juniorëve. Zejnullai zhbllokoi rezultatin me goditje me kokë, ndërsa Bajrami në vazhdim realizoi dy gola për triumf bindës. Dy xhiro para fundit të sezonit, Shkëndija ka nevojë vetëm për një fitore për të siguruar titullin e kampionit.

Gjenerata U19 e Shkëndijës shkëlqen në ndeshjen vendimtare të sezonit, duke deklasuar Vardarin 3:0 në takimin e xhiros së 20-të në Super Ligën e Maqedonisë për juniorë. Duke ditur se ndajnë vendin e parë me pikë të barabarta, djemtë e trajnerit Jeton Beqiri nisën furishëm nga minuta e parë, për të treguar se kush meriton vendin e parë. Rezultati u zhbllokua në minutën e 13-të kur Çilafi harkon nga krahu i djathtë, ndërsa Zejnullai me kokë realizon për 1:0. “Kuqezinjtë” vazhduan të sulmojnë dhe Artan Bajrami kishte mundësi për të shënuar, mirëpo goditja e tij kontrollohet nga portieri mysafir. Bajrami gjithsesi do të gjente golin me një vole të bukur në minutën e 34-t kur pret mirë harkimin e Shabanit.
Pjesa e parë u mbyll me epërsi 2:0 të Shkëndijës, ndërsa me të nisur pjesa e dytë erdhi edhe goli i tretë. Fazllagiq godet ashpër nga gjuajtja e lirë, ndërsa në rëmujën e krijuar më së miri gjendet Bajrami që realizon për 3:0. Këtu “kuqezinjtë” vulosën fatin e takimit dhe deri në fund vetëm administruan me qetësi rezultatin duke koleksionuar tre pikët që çojnë skuadrën pranë titullit të kampionit. Tani Shkëndija me 53 pikë udhëheq e vetmuar renditjen dhe dy ndeshje para fundit të sezonit ka 3 pikë më shumë se Vardari dhe bilans më të mirë në ndeshjet ndërmjet veti.

Shihni fotogalerinë e ndeshjes

SHKËNDIJA U19 – VARDARI U19 3:0 (2:0)
Stadiumi në fshatin Reçicë
Shikues: 1 000
Arbitër: Marjan Stojanovski
Arbitra anësorë: Aleksandar Grujoski dhe Kushtrim Lika
Kontrollor: Dragi Trpkovski
Golashënues: Zejnullai 13′, Bajrami 34′ dhe 47′ (Shkëndija).
Kartona të verdhë: Luma dhe R. Zeqiri (Shkëndija), ndërsa Todorovski (Vardari).
Karton i kuq: /
SHKËNDIJA: Ibraimi, Shabani (Aliti 79′), Fazllagiq, Y. Bekiri, Kasami, Shefiti (E. Beqiri 74′), Agushi (R. Zeqiri 84′), Çilafi (Asani 89′), Bajrami (Huseini 86′), Luma (Loki 49′), Zejnullai.
Trajner: Jeton Beqiri
VARDARI: Trajçevski, Todoroski, Riçkov (Xhukleski 56′), Ismail, Liçina, Dimkov (Hamziq 84′), Dodevski, Dimitrovski (Markoski 79′), Stojçevski (Todorovski 90′), Kolevski (Najdoski 58′), Daci.
Trajner: Lupço Markovski