Kuqezinjtë gati për testin e fundit para Champions League

No image

 Shkëndija të dielën përballet me Vorskla Poltava-n e Ukrainës në takimin e tretë dhe të fundit kontrollues të paraparë për këtë fazë përgatitore. Me këtë kuqezinjtë përmbyllin përgatitjet në Slloveni dhe të hënën kthehen në Tetovë për të vijuar stërvitjet deri në ndeshjen e parë të eliminatoreve të Champions League.

 

Kuqezinjtë ngadalë përmbyllin fazën kryesore të përgatitjeve verore para paraqitjes në eliminatoret e Champions League ku do të përballemi me New Saints të Welsit. Shkëndija për dy javë është duke punuar intenzivisht me plan të kombinuar, pasi skuadra paralel me ngritjen e nivelit të përgatitjes fizike ka kërkuar të zhvillohet edhe në aspektin tekniko-taktik. Gëzon gjendja fizike e futbollistëve të cilët pa problem eliminojnë ngarkesat që u servir stafi teknik, ndërsa pas një pauze të shkurtër shkaku i një shqetësimi muskulor të natyrës më të lehtë, punës me grupin i është kthyer edhe braziliani Stenio Junior.

Nga baza e Shkëndijës në Rogashka Sllatina të Sllovenisë tanimë është larguar Emir Asani i cili qëndroi në testime disa ditore, duke lënë përshtypje pozitive por stafi teknik në këtë moment ka vlerësuar se ka futbollistë të mjaftueshëm në atë pozitë. Pas testeve me Domzalen e Sllovenisë (barazim 1:1) dhe Osijekun kroat (fitore 3:1), kuqezinjtë të dielën në vendin e quajtur Rogatec në Slloveni do të zhvillojnë testin e fundit të kësaj faze përgatitore përballë ekipit nga Ukraina, Vorskla Poltava.

Të hënën skuadra kthehet në Tetovë ku do të vijojë punën deri në ndeshjen e parë me New Saintsin e Welsit më 10 korrik në Shkup në kuadër të raundit të parë eliminator të Champions League.

FOTOGALERIA  ⬅