Kuqezinjtë fitojnë testin e parë në vitin 2019

No image

Shkëndija mund 2:1 Renovën në takimin kontrollues të luajtur në terrenin me bar sintetik te Qendra Sportive në Tetovë. Golit të Mbellës kuqezinjtë i’u përgjigjën me autogol nga Abdulla dhe super realizim të Nafiut.

Skuadra kuqezi ka kaluar me sukses ndeshjen e parë testuese në vitin 2019, pasi sot në Tetovë mundi Renovën me shifrat 2:1. Trajneri Qatip Osmani në lojë nxori dy ekipe që luajtën nga një pjesë loje, ndërsa vetëm Bejtullai dhe Sadriu ishin nga 90-të minuta në terren. Përveç Juniorit e Radeskit që ende nuk janë të gatshëm 100% për lojë, në testin e parë të lirë u lanë Musliu, Fazli dhe Todorovski me këtë të fundit që është kthyer në skuadër pas përfundimit të huazimit gjashtëmujor te Rabotniçki. Në pjesën e parë në lojë ishin edhe Zija Merxhani i kthyer nga huazimi, i riu Besart Rexhepi që është bashkuar me ekipin e parë nga skuadra e shpresave dhe Berat Beqiri që mbahet në skuadër pas periudhës testuese. 

Duke llogaritur se për dy skuadrat kjo ishte ndeshja e parë prej fillimit të përgatitjeve dimërore, përballja nuk kishte intenzitet të lartë dhe dy ekipet u kanosën nga dy-tre herë para se baraspeshën ta prishte Emmanuel Mbela në minutën e 41 kur me kokë shënoi për epërsi 1:0 të Renovës.

Shkëndija rriti tempon në pjesën e dytë dhe qasja e tillë solli përmbysje. Fillimisht në minutën e 62-të nën presionin e Eminit ndodh mosmarrëveshje në mbrojtjen kundërshtare dhe Xhelil Abdulla shënon në rrjetë të gabuar për 1:1. Rezultati përfundimtar u vendos në minutën e dytë të kohës shtesë kur Valmir Nafiu sjell gol të bukur për fitore 2:1 të kuqezinjëve në ndeshjen e parë në vitin 2019.

SHKËNDIJA-RENOVA 2:1 (0:1)

Qendra Sportive në Tetovë
Golashënues: Abdulla ag. 62’ dhe Nafiu 90’+2 (Shkëndija), Mbella 41′ (Renova)
SHKËNDIJA: Zahov, Çeshmexhiev, Bejtullai, Sadriu, Mici, Zejnullai, Bes. Rexhepi, Imeri, Alimi, Beqiri, Selmani.
Luajtën edhe: Bek. Rexhepi, Murati, Merxhani, Totre, Bojku, Ramadani, Shefiti, Nafiu, Emini.