Kuqezinjtë fitojnë edhe testin e dytë

No image

Mbyllet me sukses edhe kontrolluesja e dytë pasi Shefiti dhe Sadriu shënojnë në fitoren 2:1 kundër Makedonija Gj.P.

Futbollistët e Shkëndijës pasditën e sotme zhvilluan ndeshjen e dytë kontrolluese në kuadër të fazës përgatitore të dimrit duke mundur me shifrat 2:1 Makedonija Gj.P.. Ashtu si në testin e parë me Renovën edhe tani trajneri Osmani në secilën pjesë në fushë nxori dy formacione të kombinuara, ndërsa të lirë u lanë Mici dhe Zahov si dhe Radeski e Junior që ende nuk janë gati për lojë. 
Për dallim nga testi i parë në këtë ndeshje intensiteti i lojës ishte në nivel më të lartë dhe kuqezinjtë ishin ekipi më kërkues në terren. Ndryshimi erdhi në minutën e 25-të kur asistin e Zija Merxhanit në gol e konverton Shefit Shefiti për 1:0 pas 45 minutave të para. 


Formacioni i kuqezinjëve në fraksionin e dytë gjithashtu solli volum loje, mirëpo disa raste të humbura u ndëshkuan nga kundërshtari që me anë të Kostovskit në minutën e 77-të barazuan në 1:1. Shkëndija deri në fund u vendos para portës kundërshtare, Sadriu humbi mundësinë më të mirë kur goditja e fortë e tij u ndal në shtyllë, mirëpo mbrojtësit të ri kosovar fati do t’i kthehej dy minuta para fundit kur nga brendësia e zonës shënon për rezultat përfundimtar 2:1. 

Me këtë ndeshje kuqezinjtë përfundojnë fazën e parë përgatitore në Tetovë dhe pas dy ditëve të lira skuadra do të udhëtojë drejt Antalisë ku do të zhvillohet faza e dytë dhe kryesore e përgatitjeve dimërore.