Komunikatë për media

No image

Të nderuar dashamirë të futbollit,

Gjatë ditës së djeshme pas shpalljes së vendimit të Komisionit për Gara pranë FFM-së në lidhje me rastin e pretenduar “lojtari i ri”, klubi jonë KF Shkëndija-Tetovë për fat të keq krejtësisht pa nevojë sërish është përmendur në komunikata jokorekte, shpifëse, të pabesa, tendencioze dhe qesharake, që këtë herë vijnë nga KF Vardari nga Shkupi.

Në lidhje me justifikimin ligjor dhe vlefshmërinë e vendimit nuk do të kemi ndonjë koment të veçantë, sepse qëndrimi ynë paraprakisht u nxorr në opinion dhe në mënyrë shumë të qartë e shpjeguam për të mundur ta kuptojë secili. Për fat të keq ka edhe nga ata të cilët me të vërtetë për shkak të analfabetizmit të tyre ligjor dhe intelektit të kufizuar nuk janë në gjendje ta kuptojnë. Por nuk do të humbim kohë, e as që do t’ua marrim kohën lexuesve për tu munduar përsëri ta shpejgojmë atë, kur të njejtët ato persona me kapacitete të tilla intelektuale dhe aftësi të ulta ligjore nuk janë në gjendje ose nuk duan ta kuptojnë.

Përmes kësaj komunikate duam vetëm  të porosisim te KF Vardari që shkaqet e pasqyrës së keqe të klubit në planin sportiv në kampionatin vendor gjatë këtij sezoni ekskluzivisht dhe drejtëpërdrejtë të  kërkojnë në rradhët e veta dhe në politikën e gabuar të klubit që i solli në këtë situatë të jenë 11-të pikë pas liderit të renditjes, Shkëndijës. Përndryshe, çdo dalje tjetër në opinion përmes cilësdo mënyrë është e palejueshme, e pahijshme, e turpshme dhe nën nivelin e një klubi si KF Vardari. Ky klub në një afat kalimtar humbi gjithë reprezentuesit e ri, thuajse pa para dhe lejoi  kapitali i vetëm të largohet lehtë nga klubi, ndërsa edhe ai që ka mbetur është para largimit dhe i pezulluar nga ekipi i parë (Darko Velkovski).

Për kujtesën tuaj, suksesi i KF Shkëndija këtë sezon nuk është aspak i rastësishëm, e ende më pak rezultat i lojërave të “prapa skenave” dhe marrëveshjeve. Për KF Shkëndija është e neveritshme dhe joshembullore më shumë të komentohet mbi këtë temë. Diferenca prej 11-të pikëve në renditjen tabelare është arritur ekskluzivisht në fushë pa ndihmën më të vogël nga dikush tjetër, më së paku të trupave dhe organeve të FFM-së, por vetëm si rezultat i punës sistematike, të planifikuar dhe profesionale në klub gjatë viteve të kaluara dhe finansiarisht të mbështetura nga sponsori i klubit kompania “Ecolog”.

Rezultatet janë të dukshme, si në ekipin e parë, ashtu edhe në gjithë kategoritë e reja, ku ekipet e KF Shkëndija janë në vendet e para në tabelë në kategoritë përkatëse. Dhe për informacionin tuaj, ne nuk do të ndalemi këtu, por do të vazhdojmë me ritëm të njejtë, madje edhe më dinamik me qëllim të vetëm KF Shkëndija të bëhet pjesëmarrëse e rregullt në fazën e grupeve të garave europiane dhe pjesë e klubeve elitare të europës.

Për fund, vetëm shkurtimisht, të mos mbetemi borxh sepse ne jemi të thirrur në komunikatën e KF Vardarit, do të cekim se shkrimet për bojkot të federatës dhe kampionatit janë përtej kufirit të mendjes së shëndoshë.

Me të vërtetë është i turpshëm akti i KF Vardarit për të kërkuar përmes rasteve anësore pa kurfarë baze ligjore, të kyçet në garën e humbur për titullin e kampionit.

Titujt fitohen në terrenin e gjelbërt, me lojë, e jo përmes komunikatave dashakeqe. Në sezonet e kaluara kur ju fitonit tiullin ne asnjëherë nuk jemi angazhuar në mënyra të këtilla të kërkojmë justifikime.

Ju falemenderojmë për vëmendjen.