Juan Felipe: I lumtur të firmos me klubin më të mirë në vend

No image

“E dij se Shkëndija është skuadër shumë e madhe dhe për këtë unë jam këtu. Do të jap më të mirën nga vetja për të realizuar objektivat dhe sigurisht se do t’i kërkojmë dhe do t’i realizojmë pritjet”, shprehet Juan Felipe.

Shkëndija ka kompletuar transferimin më të bujshëm në merkaton verore në vendin tonë, duke firmosur për dy vitet e ardhshme me fantazistin brazilian Juan Felipe Alves Ribeiro. Pasi firmosi kontratën me kuqezinjtë 31 vjeçari u prezantua me fanellën e Shkëndijës tek e cila ka vendosur të mbajë numrin 70. Në prononcimin e tij të parë si lojtar i Shkëndijës, braziliani nuk ka fshehur kënaqësinë për këtë marrëveshje, ndërsa zbulon se gjithmonë i ka pëlqyer atmosfera e krijuar nga tifozët e zjartë të Shkëndijës.
“Më në fund unë jam lojtar i Shkëndijës. Unë kam luajtur shumë kohë futboll këtu në Maqedoni dhe gjithmonë kur vija këtu në Tetovë të luaj kundër Shkëndijës kisha vibracione të mëdha për publikun. Sepse më pëlqejnë shumë, janë të mëdhenj, gjithmonë janë shumë të zjartë duke mbajtur ekipin me moral të lartë gjithë kohën. Kjo më ka pëlqyer dhe tani unë pres të jem pjesë e kësaj dhe jam këtu të jap më të mirën nga vetja”, shprehet Juan Felipe për kanalin zyrtar të KF Shkëndija, menjëherë pasi firmosi kontratën dhe u prezantua si lojtar i ri i kuqezinjëve. Duke ditur ambiciet e skuadrës braziliani thotë se është i vetëdijshëm përse Shkëndija e solli në skuadër.


“Po unë dij pse jam këtu. Është ekip i madh dhe për këtë jam këtu për të dhënë më të mirën për të kërkuar titujt, të luajmë në Liga Europa që është objektiv i madh për ekipin. Gjithashtu për të demonstuar më të mirën nga vetja, ashtu si kam bërë në skuadrat paraprake. Pres të jemi kampion dhe gjërat të shkojnë mirë këtu”.

Braziliani potencon disa herë se gjithmonë me qejf ka luajtur në Tetovë, ndërsa tashmë kur më në fund bëhet pjesë e Shkëndijës u drejtohet tifozëve me premtim për përkushtim maksimal ndaj kësaj fanelle.
“Unë dua të ndjej ato emocione, vibracionet që ndjeja kur vija këtu si oponent dhe tani që jam lojtar i Shkëndijës unë dua t’i ndjej edhe në favorin tim gjithashtu. Unë do të jap më të mirën nga vetja për të realizuar objektivat dhe sigurisht se do t’i kërkojmë dhe do t’i realizojmë pritjet”, shton braziliani.

Duke qenë për katër vite pjesë e elitës së futbollit në Maqedoninë e Veriut, Felipe njeh mirë rrethanat në futbollin tonë dhe beson se ekipi është i denjë për të realizuar objektivat.


“Sigurisht se po. Unë gjithmonë kam folur me Junior-in, pasi ne jemi miq të afërt dhe kur unë vija në shtëpinë e tij, apo kur ai vinte te unë gjithmonë kemi folur se Shkëndija është skuadër e madhe dhe me kalimin e kohës sigurisht se do të realizojë objektivin e vet të luajë në Liga Europa. Tani me ardhjen time këtu pres që të arrijmë objektivat të luajmë në Liga Europa dhe të hyjmë në fazën e grupeve”.


Braziliani në fund ka përsëritur kënaqësinë që firmos me Shkëndijën dhe nëse do pyetej nëse është i vetëdijshëm se bëhet pjesë e klubit më të mirë në Maqedoni, në përgjigjen e tij nuk ka asnjë dilemë.
“Po, sigurisht. E dij se Shkëndija është skuadër shumë e madhe dhe për këtë unë jam këtu. Nëse një skuadër është e madhe, atëherë duhet të ketë lojtarë të mëdhenj gjithashtu”, përfundoi Felipe që paraqet transferimin më të madh në merkaton e sivjetshme në futbollin e Maqedonisë së Veriut.