Ibraimi futet në tre kadidatët për çmimin ‘Futbollisti i vitit në Maqedoni’

No image

Federata e futbollit të Maqedonisë më 15 dhjetor të këtij viti do të organizojë mbrëmjen për shpalljen e më të mirëve për sezonin e kaluar, ndërsa sulmuesi ‘kuqezi’ ka hyrë në garën më të ngushtë prej tre futbollistëve për çmimin ‘Futbollisti i vitit në Maqedoni’. Berat Imeri futet në garë për çmimin trajneri më i mirë në kategori të reja.

Paraqitjet e mira dhe golat e shënuar përveç se kanë rikthyer në përfaqësuesen e Maqedonisë, sulmuesin e Shkëndijës Besart Ibraimin e kanë futur në garë edhe për të zgjedhur futbollisti më i mirë i vitit në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë. Federata e futbollit të Maqedonisë ka publikuar emrat e tre të nominuarve finalistë për secilën kategori, duke hapur votim publik, ndërsa aty gjendet edhe sulmuesi ‘kuqezi’, Ibraimi. Përveç kësaj gare ku pritet të shihet nëse do të arrijë të shpallet fitues, Ibraimi ka të sigurtë një çmim në manifestimin e 15-të dhjetorit, pasi me 25 golat e shënuar sezonin e kaluar ka siguruar çmimin ‘Golashënuesi më i mirë i vitit në LPFM’. Përveç Ibraimit, në mesin e të nominuarve gjendet edhe Berat Imeri, që do ka hyrë në garë të ngushtë për çmimin ‘Trajneri më i mirë i vitit në kategori të reja’.