Gjoka: Fitore që na mban brenda objektivave

No image

Triumfi bindës 4:1 përballë Makedonija Gj.P. ka sjellë kënaqësi në stafin teknik të Shkëndijës që vlerëson paraqitjen e skuadrës.  

• “Fitorja na gëzon sepse na mban në ritëm dhe brenda objektivave që kemi”
• “Mendoj se Shkëndija posedon potencialin për rotacione dhe zëvendësime”
• “Jam i kënaqur me Neton, pasi lojtarët e huaj duan pak kohë për adaptim”
• “S’është se nuk sulmojmë prej fillimit, por kundërshtarët mbyllen në start”

Shkëndija prodhon paraqitjen më bindëse në pranverë, duke mundur me shifrat e larta 4:1 Makedonija Gj.P. Kuqezinjtë deri te fitorja e 10-të sezonale erdhën falë dopietës së Omar Imerit dhe nga një goli të Mexhit Nezirit e Arbin Zejnullait, që bënë të pavlefshëm barazimin e përkohëshëm të miqve me penaltinë e Jasharovskit. Triumf bindës që kënaq trajnerin Ernest Gjoka, që i bën thirje ekipit të vazhdojë të mbajë ritmin në vazhdim të kampionatit.

Ernest Gjoka:Fitorja na gëzon sepse na mban në ritëm, na mban brenda atyre objektivave që kemi. Por sigurisht çdo ndeshje është shumë e vështirë, ju shikoni gjithmonë pjesën e dytë, por pjesa e parë ishte e balancuar, sepse edhe kundërshtari na u përgjigj duke kërkuar edhe ata më të mirën. Mendoj se e rëndësishmë është që të mbajmë ritmin, shumë me rëndësi që ndeshjet sidomos në shtëpi nuk duhet t’i vëndojmë në diskutim për t’i fituar. Ky është problem i madh sepse ne jemi të dënuar për të fituar çdo ndeshje”.

Ernest Gjoka: “Unë mendoj se Shkëndija ka potencialin që të bëjë rotacione dhe të zëvendësojë lojtarët. Një nga problemet që kam pasur dhe një nga gjërat që ndryshojmë në mentalitet është se brenda skuadrës çdo futbollist duhet të ketë një lojtar tjetër zëvendësues. Kjo është një lojë e pastër dhe korrekte e profesionale brenda grupit. Mendoj se ne nuk kemi problem rotacionin sepse çdo lojtar që është te Shkëndija e meriton ta veshë fanellën dhe të luajnë në ato momente që atyre ju jepen. Dhe sot edhe pse kishim mungesa ata që ishin në lojë mendoj se justifikuan veten me punë. Tani duhet të vazhdojmë të mbajmë ritmin, të bëjmë edhe rotacione herë pas here dhe të vazhdojmë drejt për të parë sa më lartë dhe sa më shpejtë, sepse për hirë të vërtetës kundërshtari është shumë larg”.

Ernest Gjoka: “Jam i kënaqur me Neton sepse nuk është kollaj të vish nga një kulturë ndryshe dhe vend tjetër, me futboll ndryshe dhe të luash në një vend krejtësisht ndryshe.

Unë jam i mendimit se këta lojtarët e rinjë që kanë ardhur nga vende të ndryshme të Europës kanë nevojë për pak kohë për tu përshtatur. Minutazhin duhet t’ua japim gradualisht dhe pastaj duke i parë e duke i testuar dhe duke parë edhe produktin që japin në fushë do të fillojnë të marrin akoma më shumë minuta.

Ernest Gjoka: “Nuk pajtohem të thuhet se në pjesën e dytë prodhojmë më shumë se sa në të parën. Mos harroni se kur luajmë futboll, ne luajmë me një kundërshtarë përballë dhe çdo kundërshtarë në 45 minutat e para mundohet të japë gjithçka. Po ta shikoni edhe ndeshjen me Sileksin që ishte shumë e vështirë, ishte meritë e Sileksit që nuk na la neve të prodhojmë në pjesën e parë. Edhe sot po të shikojmë me kujdes, ishte meritë e Makedonija Gj.P. që ne nuk mundeshim dot të shkonim të bënim presion lartë te zona e tyre, sepse ata direkt kalonin përpara me top të gjatë dhe ne automatikisht donim apo s’donim do të shkonim prapa dhe kjo është meritë edhe e kundërshtarit. Por sigurisht se puna është se sa do ta mbajnë këtë ritëm të lartë edhe kundërshtarët dhe pastaj gradualisht gjërat marrin vendin e duhur. Prandaj ndeshja është 90-të minuta dhe ndahet në disa pjesë, ku pjesa kryesore e lojës është sidomos nga minuta e 60-të deri në të 90-të. Aty pastaj hyn përgatitja fizike, hyn takika, cilësia e lojtarëve dhe kjo është arsye që ndoshta duket se te Shkëndija nuk ka produkt në pjesën e parë. Nuk është çështje produkti, por është çështje që ne duhet t’i themi edhe kundërshtarit bravo për atë që japin kundër nesh”.

Share Now

Related Post