Felipe: I lumtur për golin, por rëndësi ka fitorja

No image

“Jam i lumtur për golin, për më shumë që i njejti hapi rrugën drejt fitores. Tani na duhet vazhdimësi dhe jemi të bindur për të dhënë më të mirën në transfertën me Makedonija Gj.P.”, shprehet Juan Felipe.

Shkëndija vazhdon përgatitjet për sfidën e fundjavës me Makedonija Gj.P. në Shkup, ku kuqezinjtë do të kërkojnë fitoren e rradhës në kampionat. Skuadra të mërkurën mori fitore me rëndësi përballë Sileksit, duke u kthyer në rrugën e suksesit ku tani pretendon të krijojë vazhdimësi. Fitorja bindëse 3:0 ndaj ekipit nga Kratova ka kthyer besimin në skuadër dhe në sukses të rradhës beson Juan Felipe. Pikërisht mesfushori brazilian të mërkurën hapi serinë e golave ndaj Sileksit, me një kryevepër nga gjuajtja e lirë duke gjetur golin e parë kampional në fanellën e Shkëndijës, pasi më herët ka realizuar një herë në Kupën e Maqedonisë ndaj Gostivarit.


“Jam i lumtur për golin, për më shumë që i njejti hapi rrugën drejt fitores. Triumfi ka rëndësi të madhe pasi kemi vuajtur si ekip krizën dhe mungesën e rezultateve, por gjithë lojtarët në asnjë moment nuk kemi humbur besimin se mund të dalim kampion. Do të vazhdojmë të luftojmë deri në fund me bindje se mund t’ia dalim”, shprehet mesfushori brazilian i Shkëndijës, Juan Felipe.

 

 
Për brazilianin fitorja ndaj Sileksit është arkivuar dhe tashmë gjithë vëmendja është kthyer kah ajo që pason, me duelin kundër Makedonija Gj.P. në horizont si sfidë e parë që duhet fituar në drejtim të krijimit të kontuinitetit të rezultateve pozitive.

“Tani na duhet vazhdimësi dhe jemi të koncentruar për të dhënë më të mirën në transfertën me Makedonija Gj.P.. Janë ekip që vështirë humbin pikë në fushë vendase, nuk na gënjen disfata e fundit e tyre në kampionat dhe në këtë sfidë do të hyjmë me përkushtim maksimal. Besoj të jemi në nivelin e duhur dhe të marrim fitoren e rradhës”, përfundoi Felipe.

Kuqezinjtë dy ditët e kaluara kanë punuar për sfidën e të dielës me Makedonija Gj.P., ndërsa stafi teknik dhe futbollistët do të kenë edhe një seancë stërvitore të shtunën ku do të kryhen edhe përgaititjet e fundit para duelit të xhiros së 11-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut.