Felipe bashkohet me ekipin në stërvitje

No image

Kuqezinjtë tashmë punojnë në drejtim të ndeshjes së kthimit me Nomme Kaljun në eliminatoret e UEFA Champions League, ndërsa prej sot bashkë me grupin ushtron përforcimi i fundit, Juan Felipe.

Shkëndija ka nisur përgatitjet për sfidën e kthyese me kampionin e Estonisë. Pas kthimit në vend nga transferta e fituar 1:0 me Nomme Kaljun, ekipi punoi në rikuperim dhe ndërkohë të premten skuadra kishte ditë të lirë. Sot (e shtunë) stafi teknik rigrumbulloi gjithë skuadrën, duke shënuar startin e përgatitjeve për duelin e ditës së martë në Shkup. Kështu për herë të parë pasi firmosi me kuqezinjtë me grupin kishte mundësi të punojë mesfushori, Juan Felipe. Duke parë se skuadra ishte në transfertën e parë sezonale në Europë, braziliani ka punuar individualisht, ndërsa prej sot është pjesë e skuadrës dhe vihet nën urdhërat e trajnerit Qatip Osmani. Felipe ka të drejtë loje që në ndeshjen e rradhës, mirëpo duke llogaritur faktin se kyçet me vonesë në skuadër këtë periudhë do të kërkojë përmirësimin e nivelit të përgatitjes fizike. Gjithsesi ai tashmë është një ‘armë’ shtesë për stafin teknik për sfidat e rradhës europiane. Me ekipin ka punuar edhe Stenio Junior, i cili thuajse një muaj punon individualisht shkaku i lëndimit (thyerje të gishtit të këmbës) dhe më në fund bashkohet me grupin. Rikuperimi ka shkuar sipas planit, ndërsa stafi teknik në bashkëpunim me ekipin mjekësorë do të vendosin për kohën e duhur për aktivizimin e tij.

Shkëndija vazhdon punën intensive në terren, pasi të martën në Shkup do të zhvillojë ndeshjen e kthimit të xhiros së parë eliminatore të UEFA Champions League, kundër Nomme Kalju të Estonisë.