Erhan Selimi: Fituam tre pikë shumë të rëndësishme

No image

Shkëndija menaxhoi tjetër triumf nën menaxhimin e Erhan Selimit dhe ushtruesi i detyrës së trajnerit të kuqezinjëve potencon vlerën e madhe të tre pikëve kundër Renovës..

  • Fitore me vlera për ushtruesin e detyrës së trajnerit, Erhan Selimi
  • “Në këtë moment triumfi ndaj Renovës ishte më ne rëndësi”
  • “Në dy ndeshje marrim 6 pikë dhe goldiferencë të pastërt 5:0”
  • “Më pëlqeu në fund mbështetja e publikut dhe goli i B. Ibraimit”

Kuqezinjtë lidhin dy fitore në kampionat, pasi pas Rabotniçkit të shtunën sot u mund edhe rivali lokal Renova. Alimi dhe B. Ibraimi nga penaltia në minutat e fundit sollën tre pikë të rëndësishme për Shkëndijën, e cila tashmë vazhdon ngjitjen në renditjen tabelare. Në këtë drejtim, sipas trajnerit Erhan Selimi më shumë se loja, e rëndësisë kapitale ishte të merren pikë maksimale.

 

Erhan Selimi: “E rëndësishme është fitorja, pasi ne në këto dy ndeshje kishim objektiv të marrim 6 pikë dhe këtë qëllim e arritëm. Ndeshja e sotme ndoshta nuk ishte shumë e bukur për syrin e publikut, mirëpo imperativi për të fituar sjell edhe presion. Me rëndësi fituam dhe tani vazhdojmë të marrim ndeshjet me rradhë njëra pas tjetrës”.

Erhan Selimi: “Për ne si Shkëndijë në këtë moment rëndësi kishte fitorja dhe tre pikët. Edhe pse ka shumë hapsirë për tu përmirësuar, duhet të potencoj disa elementë pozitivë në lojën tonë. Në dy ndeshje ne grumbulluam gjashtë pikë maksimale, kemi shënuar pesë gola dhe nuk kemi pranuar asnjë. Normal, jam i vetëdijshëm se kemi edhe shumë punë për të bërë për të kthyer skuadrën në nivelin e duhur”.

Erhan Selimi: “Sot më pëlqyen dy gjëra. E para është brohoritja e tifozëve dhe dashamirëve të Shkëndijës dhe e dyta që Besarti u kthye te goli. Për ne Besart Ibraimi është lojtar i rëndësishëm, kemi parasysh se kthehet nga lëndimi dhe duhet këtë ta menaxhojmë mirë për ta kthyer në mënyrë graduale”.

Erhan Selimi: “Të gjithë neve si Shkëndijë përkrahja e publikut dhe brohoritjet na japin shpirtë. Ne pa publikun nuk kemi të njejtën fuqi dhe kur nuk janë me ne ndjehet mungesa. Pres që nga ndeshja në ndeshje përkrahja e publikut të jetë më e fortë dhe të vijnë në numër sa më të madh”.