Emini: Forma e ekipit është duke u ngritur

No image

“Është e pamundur gjithë kampionatin të fitojmë me rezultat bindës. Vlerësoj se forma ynë ngritet nga ndeshja në ndeshje dhe së shpejti do shihni Shkëndijën e vërtetë”, porosit golashënuesi kuqezi, Izair Emini.

Pesë gola në tre ndeshje kundër të njejtit rival në këtë kampanjë. Ky është efekti i sulmuesit Izair Emini në duelet e këtij sezoni kundër Bellasicës së Strumicës. Gjithçka nisi në fitoren e parë sezonale 4:1 në Tetovë kur Emini shënoi tre-golësh, më pas kuqezinjtë fitonin 0:2 në Strumicë dhe goli i parë ishte vepër e Eminit, ndërsa seria vazhdoi edhe të dielën kur pikërisht Izo ishte autor i golit të parë në fitoren 3:0. Rastësi apo rival i pëlqyer e sqaron vetë Izair Emini.

“Është e vërtetë se i kam bërë 5 gola Bellasicës dhe ndaj tyre realizoj rregullisht, mirëpo nuk kisha thënë se është rival  pëlqyer. Neve sulmuesëve na ndodh që brenda një sezoni të kemi një kundërshtar që na përshtatet dhe t’u bëjmë rregullisht gola, si që është rasti im me Bellasicën në këtë kampanjë. Por më shumë se efekti personal, për mua rëndësi ka fakti që ato gola kanë ndihmuar skuadrën të arkëtojë 9 pikë nga këto 3 duele”, thotë Izair Emini për serinë e tij kundër ekipit nga Strumica.

Pas formës së mirë të shfaqur në fazën përgatitore në Turqi, sulmuesi kuqezi vazhdon edhe në kampionat dhe me realizimin e të dielës barazohet me Besart Ibraimin me nga 11 gola të shënuar. Duke llogaritur lëndimin e numrit 7, duket se pikërisht Izo do të ndjekë fitimin e Këpucës së Artë në këtë sezon.

Fitorja 3:0 me Bellasicën riktheu kuqezinjtë bindës, pasi në dy ndeshjet e para pranverore përkundër lojës së mirë, skuadra realizonte vetëm nga një gol.


“Fakti që kemi shënuar vetëm nga një gol në dy ndeshjet e para në pranverë, nuk don të thotë se nuk kemi qenë në formë. Thjesht është e pamundur gjatë gjithë kampionatit të fitosh me diferencë të madhe. Por gjithsesi se si fillim kampionati kemi hasur në vështirësi, por vlerësoj se nga ndeshja në ndeshje forma ynë shkon në ngritje e sipër dhe së shpejti do të shihni Shkëndijën në formën më të mirë”, shton Emini.

Përballja e rradhës në kampionat vendos kuqezinjtë përballë Shkupit në transfertë. Me nga dy fitore dhe një barazim Shkëndija dhe Shkupi janë dy ekipet me ecuri më të mirë në pranverë dhe kuqezinjtë shikojnë para për të vazhduar serinë edhe pas xhiros së 22-të.

“Ne jemi të gatshëm për ndeshjet e rradhës dhe të njejtat i marrim një nga një dhe me seriozitet maksimal. Qëllimi ynë është të thellojmë diferencën me vendin e dytë dhe për këtë na duhet seri e mirë. Shkupi ka skuadër shumë të mirë dhe këtë e kanë dëshmuar në ndeshjet e këtij fillim gjysmëkampionati. Ne respektojmë dhe vlerësojmë Shkupin, por si kampionë në fuqi dhe me ambice për të mbrojtur titullin në çdo ndeshje shkojmë për të fituar”, përfundoi Emini.

Kuqezinjtë pas fitores të së dielës tashmë mendojnë dhe punojnë me vëmendje kah sfida e rradhës me Shkupin. Ekipi të hënën punoi në rikuperim, e marta ishte ditë e lirë për futbollistët, ndërsa të mërkurën nga ora 15:00 në stadiumin në fshatin Reçicë luhet miqësore me Dritën e Bogovinës me stafin teknik që vazhdon praktikën e nisur që në mesjavë të organizojë ndeshje ku shans për të luajtur do të kenë futbollistët me minutazh më të vogël në kampionat.