Caktohen kundërshtarët për ndeshjet kontrolluese

Shkëndija ka mësuar emrat e kundërshtarëve me të cilët do të përballet në tre ndeshjet kontrolluese të parapara të zhvillohen në kuadër të përgatitjeve në Slloveni. Më 15 qershor ‘kuqezinjtë’ përballen me Dinamo Tbilisin e Gjeorgjisë, të cilët sezonin e posambyllur u renditën në pozitën e tretë dhe njëjtë si Shkëndija do të jenë pjesë e eliminatoreve për Liga Evropa. E njejta vlen edhe për kundërshtarin e dytë, Ulisses FC nga Armenia me të cilët do të luhet më 19 qershor. Kjo skuadër është nënkampione e vendit dhe sezonin e fundit u ndal pas ekipit më të njohur armen Pjunikut. Testin e fundit në kuadër të përgatitjeve Shkëndija do ta luajë më 24 qershor përballë Akademia Pushkash nga Hungaria. Bëhet fjalë nga elita e futbollit hungarez, por për dallim nga kundërshtarët e parë këta nuk janë pjesë e Kupave Evropiane, pasi sezonin e mbyllën në pozitën e 10-të. Zgjedhja e kundërshtarëve për ndeshjet kontrolluese është bërë me një selektim për të gjetur kualitet të përafërt me ekipet që mund të jenë kundërshtar të mundshëm të Shkëndijës në raundin e parë eliminator të Liga Evropës. Interesant është fakti që Dinamo Tbilisi është në grupin e ekipeve potenciale me të cilat Shkëndija mund të takohet në Liga Evropa, ndërsa Ulisses FC është në grupin e jofavoritëve dhe mund të jetë kundërshtar i mundëshëm i Rabotniçkit. Shkëndija të premten (12 qershor) udhëton drejt Sllovenisë, ndërsa deri më 25 qershor do të qëndrojë në vendin Rogashka Sllatina.

Share Now

Related Post