Bojku: Paraqitja me Rabotniçkin e arkivuar, vëmendja kthehet ka Kupa

No image

Pas startit me dy barazime kur më shumë vëmendja ishte në paraqitjet europiane, kuqezinjtë në të kthyer përqëndrimin drejt skenës vendore kanë rradhitur katër fitore të njëpasnjëshme, prej të cilave tre në kampionat dhe një në Kupë. Triumfi i fundit 6:2 të dielën kundër Rabotniçkit ishte bindshëm paraqitja më e mirë e skuadrës në sezonin e ri dhe futbollistët besojnë se ajo performansë duhet të jetë model për të ardhmen.

“Të shënosh gjashtë gola në një ndeshje kundër një skuadre si Rabotniçki që në Tetovë vinte si lider i renditjes, sigurisht se nuk është aspak punë e vogël. Duke përjashtuar fillimin e ndeshjes dhe një periudhë të fraksionit të dytë, ne performuam shumë mirë duke realizuar kërkesat e stafit teknik për lojë kombinatorike me shumë pasime. Krijuam shumë shanse dhe shënuam gjashtë gola, duke realizuar paralel planin të marrim tre pikët dhe të kënaqim publikun”, shprehet mesfushori strugan, Besmir Bojku, i cili luan në formë shumë të mirë në këtë fillim sezoni, duke arritur mes tjerash të shënojë dy gola në pesë takime të luajtura (realizoi kundër Vardarit dhe Rabotniçkit). Futbollisti 23 vjeçar shton se megjithë paraqitjen e bukur në skuadër nuk ndjehet kurfarë euforie dhe tashmë vëmendja është kthyer kah sfida e rradhës të mërkurën në Tetovë kundër Kit Go në 1/8 e finales së Kupës.


“Është fillimi i sezonit dhe ne kemi skuadër me eksperiencë të mjaftueshme për të mos lejuar të kënaqemi me një performansë të tillë. Ndeshja me Rabotniçkin është arkivuar dhe ne gjithë koncentrimin e kemi kthyer ka sfida e rradhës kundër Kit Go në Tetovë. Pa marrë parasysh se bëhet fjalë për ekip të panjohur që vjen nga kategoria e dytë, ne i respektojmë ata si gjithë ekipet tjera dhe do të hyjmë në lojë për të dhënë maksimumin. Sigurisht se duhet të kërkojmë të luajmë ashtu si në ndeshjen paraprake me Rabotniçkin, pasi në kuadër të Kupës gjithmonë është e rëndësishme të keshë rezultat sa më të mirë nga ndeshja e parë. Shpresoj të kemi më shumë spektatorë, ndërsa ne premtojmë tjetër paraqitje pozitive”, përfundoi Besmir Bojku.