B. Ibraimi: “Krenar për rekordin, por synoj të vazhdoj të shënoj”

No image

Sulmuesi kërçovar i Shkëndijës, Besart Ibraimi ka kohë që llogaritet në mesin e golashënuesve më të mirë në historinë e futbollit në Maqedoninë e Veriut, për të arritur tashmë të “pushtojë” vetë kreun. Pas rekordit si futbollisti i parë që fiton tre herë rresht titullin “Këpuca e Artë” (golashënuesi i sezonit) në elitën vendore, tashmë edhe zyrtarisht shkruan emrin e tij si autori i më shumë golave në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut. Dy realizimet në fitoren e të dielës me Shkupin çojnë në 167 numrin e golave të Ibraimit në LPFMV.

Besart Ibraimi ⚽️ 167 👏🏼

Posted by KF Shkëndija on Wednesday, December 4, 2019


Sigurisht se për mua paraqet kënaqësi të veçantë të jem bartës i këtij rekordi dhe për këtë dua të falemenderoj gjithë ata që më kanë ndihmuar në rrugën time drejt kësaj arritje”, thotë Besart Ibraimi, duke vijuar.
“Falemenderimet i takojnë Zotit që më dha shëndet dhe mundësi të arrij këtë sukses. Padyshim mirënjohës për bashkëlojtarët, trajnerët dhe gjithë në klub, bashkë me tifozët e Shkëndijës dhe “Ballistët” pa mbështetjen e të cilëve nuk do ishte e mundur kjo arritje. Një dedikim edhe për familjen që gjithmonë më ka përkrahur për të ecur përpara”.

😱167 gola në Ligën e Parë✅ Golashënuesi më i mirë në historinë e elitës vendore

Posted by KF Shkëndija on Sunday, December 1, 2019

Me dy golat kundër Shkupit, B. Ibraimi kompletoi 85 realizime kampionale me fanellën e Shkëndijës në Ligën e Parë ku zhvillon sezonin e pestë si kuqezi. Tre herë rresht doli golashënuesi i sezonit (25 gola në sezonin 2015/16, 20 gola në atë 2016/17 dhe 23 gola në sezonin 2017/18), për tu ndalur në 11 gola (në vetëm 10 ndeshje) sezonin e shkuar kur duhej të operojë ligamentet e kryqëzuara. Këtë kampanjë në kampionat ka realizuar 6 herë dhe 2 gola në Kupë.
Gjithsej në ndeshjet zyrtare me Shkëndijën, deri tani Besarti ka realizuar 114 gola (85 kampional, 15 në Kupë dhe 14 në Kupat e Europës).


“Jam krenar për këto shifra që kam mundur të realizoj me fanellën e Shkëndijës, për më shumë që ato gola kanë ndimuar skuadrën të arrijë objektivat, si fitimi i titujve vendorë dhe ecuria pozitive në Europë“, shprehet numri “7”, që shton se vazhdon të ndjejë uri për të vazhduar marrëdhënien e shkëlqyer me golin.


Padyshim se synoj të shënoj akoma me këtë fanellë. Pas operimit dhe pauzës ishte e pritshme të përballem me vështirësi në drejtim të kthimit të formës optimale, por ngadalë gjërat marrin vendin e duhur. Pretendimi im është të vazhdoj të shënoj për të ndihmuar Shkëndijën në ecurinë drejt objektivave“, përfundoi Besart Ibraimi.

Share Now

Related Post