Aliti dhe Ramadani nga U19 në ekipin e parë

No image

Dy futbollistët e Shkëndijës U19, Arlind Aliti dhe Florent Ramadani bashkohen me ekipin e parë, ndërsa pas përfundimit të huazimit te FC Prishtina në skuadër kthehet Shqiprim Taipi.

 

Kuqezinjtë vijojnë fazën përgatitore në Rogashka Sllatina të Sllovenisë ku ekipi bëhet gati për paraqitjen në eliminatoret e Champions League. Skuadra tashmë ka hyrë në ritmin e ngarkesës maksimale dhe stafi teknik shfrytëzon në maksimum kushtet ideale për punë të cilat i ofron kjo qendër e njohur. Futbollistët deri tani me përpikmëri realizojnë detyrat e vendosura nga stafi teknik edhe pse kjo periudhë është paksa e mundimshme. Përveç dy përforcimeve të kësaj vere Remzifaik Selmani dhe Konstantin Çeshmexhiev, pjesë e skuadrës janë edhe tre fytyra të reja.

Me vendim të stafit teknik tanimë pjesë e ekipit të parë janë edhe dy lojtarët e skuadrës U19 të Shkëndijës, Arlind Aliti dhe Florent Ramadani, ndërsa në ekip kthehet edhe mesfushori Shqiprim Taipi që gjashtë muajt e fundit luajti si huazim te FC Prishtina.

Arlind Aliti (i lindur në vitin 1999) është mbrojtës i djathtë dhe është shfaqur shumë premtues me paraqitjet te shpresat kuqezi, ndërsa e njejta vlen edhe për mesfushorin qendror Florent Ramadani (i lindur në vitin 2000).

Të dy lojtarët tanimë kanë mundësinë të punojnë me ekipin e parë, ku do të monitorohet zhvillimi i tyre. Ndërkohë kuqezinjtë të shtunën do të kenë testin e parë në këtë fazë përgatitore, kur përballen me Domzalen e Sllovenisë.