Alimi: Zhvilluam ndeshjen më të mirë kampionale

No image

Pasdite me stil e Shkëndijës që performon në nivel të lartë në fitoren 5:1 kundër FC Shkupit. Tre gola të Omar Imerit dhe nga një realizim i Alimit e A. Ibraimit kompletuan ‘pesëshen’ e kuqezinjëve, ndërsa goli i Muarem Bajramit të Shkupit vlen vetëm për statistikë. Paraqitja e shkëlqyeshme vlerësohet nga kapiteni Armend Alimi, i cili dërgon komplimente për shokët e skuadrës.


“Mendoj se rezultati vetë tregon e kemi zhvilluar një ndeshje shumë të mirë. Mendoj se sot zhvilluam takimin më të mirë të kampionatit si skuadër. Secili prej neve futbollistëve dha më të mirën prej vetes dhe kjo bëri të marrim fitore bindëse”, deklaroi pas ndeshjes kapiteni Armend Alimi, duke vijuar. “Pas humbjes me Bellasicën ishim më shumë të motivuar. E dijmë se këto ndeshje derbi janë mundësia më e mirë për të treguar kualitetin dhe arritëm të tregojmë se nuk jemi rastësisht kampionë me diferencë të madhe nga ekipet tjera”.

Përveç paraqitjes si kapiten i vërtetë, numri ‘5’ kuqezi la shenjë në këtë duel me super golin e realizuar për 2:0 në minutën e 29-të.
“Gjithmonë golat janë motiv shtesë për secilin futbollist, por mbi të gjitha më ka pëlqyer paraqitja e skuadrës dhe gjithë lojtarëve. E thash kemi dhënë më mirën dhe golat vijnë nga vetë loja e mirë që zhvillon ekipi. Kur skuadra luan bukur vijnë aksionet dhe si pasojë edhe golat”, thotë Alimi, i cili në pjesën e dytë për pak sa nuk realizoi një prej golat më të bukur të para në stadiumin e qytetit në Tetovë kur provoi me parabolë të gjatë nga gjysmëfusha e Shkëndijës.
“Nuk është hera e parë që provoj këtë gjuajtje, e kam provuar një herë edhe kundër Vardarit por portieri i asokohe të Vardarit kontrolloi topin. E kam përcjellë gjatë pjesës së dytë se portieri i tyre del pak nga porta. Fatkeqësisht topi nuk hyri në portë, shpresoj herën tjetër t’ia dal”, komenton Alimi.
Kapiteni kuqezi në fund potencon mbështetjen që morri skuadra nga tribunat, duke bërë thirrje që në takimet e rradhës tribunat të jenë përplot me spektatorë.

“E kam thënë gjithmonë se tifozët janë lojtari ynë i dymbëdhjetë. Ata na japin forcë dhe motiv shtesë, kjo u dëshmua edhe sot. Shpresoj në ndeshjet e rradhës të vijnë në numër edhe më të madh, sepse lojtarët e meritojnë mbështetjen e tyre”, përfundoi Armend Alimi.