Alimi: “Jemi në rrugë të mbarë, të mbajmë këtë ritëm”

“Vlerësoj se jemi përgjigjur mirë pas startit të dobët, por kjo seri do të fitojë në vlerë vetëm nëse vazhdojmë me këtë ritëm”, shprehet Armend Alimi.

Shkëndija ka mbyllur me sukses maksimal tre ndeshjet e fundit kampionale që në mesjavë do të pasohen me takimin e parë të 1/8 së finales së Kupës së Maqedonisë së Veriut kundër Vardarit në Shkup. Kuqezinjtë që hasën në vështirësi rezultatesh në katër xhirot e para kampionale ku mungonte fitorja, në vazhdim menaxhuan të bëjnë kthesë duke fituar tre takime të njëpasnjëshme. Fillimisht u mund Rabotniçki bindshëm 3:0, ndërsa pasuan dy triumfe identike 2:0 përballë Renovës dhe Struga Trim&Lum. Duke grumbulluar 9-të pikë maksimale ekipi ngjitet dukshëm në tabelë, ndërsa inspiron goldiferenca 7:0 e kuqezinjëve.

“Sigurisht se kjo seri kthen disponimin dhe vetëbesimin në skuadër pas gjithë asaj që ndodhi në periudhën e fundit. Vlerësoj se jemi përgjigjur mirë pas startit të dobët, por kjo seri do të fitojë në vlerë vetëm nëse vazhdojmë me këtë ritëm edhe në ndeshjet e ardhshme”, shprehet mesfushori Armend Alimi i cili duket se kthehet në formën e vjetër pasi shënoi nga një gol në sfidat me Rabotniçkin dhe Renovën, ndërsa asistoi në të dy golat kundër Struga Trim&Lum.


Shkëndija të mërkurën për një çast do t’i ndahet kampionatit për tu ndeshur në Shkup me Vardarin në takimin e parë të 1/8 së finales së Kupës.

“Synojmë të vazhdojmë serinë pozitive të kampionatit edhe në Kupën e vendit. Jemi të vetëdijshëm se na pret duel i vështirë me një rival që gëzon formë të mirë, por shkojmë të japim më të mirën nga vetja. Kupa sjell dy ndeshje dhe duke e ditur se revanshi luhet në fushën tonë, ne do të jemi të kujdesshëm në takimin e parë”, përfundoi numri ‘5’ i skuadrës kuqezi.

Pas sfidës me Strugën, skuadra menjëherë ka nisur punën për takimin e të së mërkurës dhe stafi teknik do të ketë edhe një ditë për të punuar në drejtim të duelit me Vardarin.

Share Now

Related Post