Shpresat si të rriturit, pas Kupës fitojnë edhe kampionatin

No image

Ashtu si ekipi i parë, këtë sezon kampionë dhe fitues të Kupës dalin edhe juniorët dhe kadetët e Shkëndijës. Gjenerata U19 pranon trofeun për titullin e kampionit, duke e bashkuar me Kupën e fituar javën e kaluar. Kuqezinjtë festuan pa luajtur, pasi ndeshja e xhiros së 26-të me Pelisterin u fitua 3:0 në tavolinë shkaku i mos arrdhjes së ekipit kundërshtar. Juniorët fitojnë titullin për të dytin vit me rradhë.

Shkëndija duket se ka të ardhme të sigurtë, pasi që sukseseve të ekipit të parë u janë bashkangjitur me të njejtin rritëm edhe shpresat. Shkëndija U19 njejtë si të rriturit fitojnë Kupën dhe kampionatin në kategori të juniorëve. Deri sa javën e shkuar u fitua trofeu i Kupës, juniorët kuqezi të shtunën pranuan trofeun e kampionatit që e kishin siguruar matematikisht tashmë sa javë. Ekipi i drejtuar nga Bekim Osmani është paraqitur bindshëm gjatë gjithë sezonit, duke arritur në fund të mbrojë titullin e kampionit të fituar edhe vitin e kaluar. Duke ditur se kishin të siguruar titullin paraprakisht, shpresat duhej të pranojnë trofeun pas ndeshjes së xhiros së 26-të me Pelisterin, mirëpo e njejta nuk u zhvillua (u regjistrua me rezultat zyrtar 3:0 për kuqezinjtë) pasi ekipi mysafir nuk kishte udhëtuar drejt Tetovës. Kështu pa u djersitur fare djemtë kuqezi kaluan direkt në ceremoninë e ndarjes së trofeut, duke festuar kështu me plot meritë titullin e dytë me rradhë në kampionat, pasi edhe sezonin e shkuar u ndalën në vend të parë. Djemtë e Bekim Osmanit një xhiro para fundit (javën e 27-të luajnë si mysafir me Pobedën) kanë efekt prej 20 fitoreve, 3 barazimeve dhe 3 humbjeve, duke grumbulluar 63 pikë, 12-të më shumë se Vardari i vendit të dytë. Golashënuesi më i mirë i skuadrës është Ensar Luma me 16-të realizime, ndërsa ndiqet nga Alban Rasimi që ka shënuar 14-të gola.

Shkëndija U18 pranon trofeun e kampionit

Ashtu si juniorët edhe kadetët e Shkëndijës të shtunën pranuan trofeun për titullin e këtij edicioni. Në mungesë të rivalit që nuk u paraqit në terren, ekipi i drejtuar nga Berat Imeri festoi titullin e dytë në këtë edicion, pasi paraprakisht triumfuan edhe në Kupën e Maqedonisë.

Sezoni 2017/2018 vishet i tëri kuqezi, pasi pjesa më e madhe e trofeve në gjithë kategoritë kanë përfunduar në vitrinat e Shkëndijës. Ecuri unike deri tani për të parë në një paralele të mrekullueshme ekipin senior, U19 dhe U18, që fitojnë trofe të dyfishtë, kampionatin dhe Kupën. Super Liga e kadetëve të Maqedonisë sezonin që përfundon javën e ardhshme u dominua nga ekipi i drejtuar nga Berat Imeri, që pas 26-të xhirove numëron 62 pikë të tubuara, tetë më shumë se ekipi i vendit të dytë Vardari. Fitorja e regjistruar të shtunën zyrtarisht 3:0 në mungesë të ekipit të Pelisterit ishte e 20-ta në këtë kampanjë, krahas dy barazimeve dhe katër disfatave. Golashënuesi më i mirë i ekipit është Albin Ramadani me 13-të realizime i ndjekur nga Genc Gashi që ka shënuar 10-të gola. Shkëndija U18 mban shkëlqimin e dy kategorive tjera dhe me plot meritë feston titullin e kampionit për mbyllje të bukur të këtij sezoni jashtëzakonisht të suksesshëm. Përballja e xhiros së fundit të 27-të në transfertë me Pobedën do të ketë vlerën e prestigjit, ndërsa përshtypjet e lëna të kësaj gjenerate, ashtu edhe tjerave janë tregues së Shkëndija nuk duhet të brengoset për të ardhmen.

➡ FOTOGALERIA